Resuli: Fermerët shqiptarë punojnë për mbijetesë, rimbursimi për karburantet përfundon te klientelistët e Ministrisë
Eksperti i Bujqësisë Ervin Resuli, tha se sot janë para një situata që protesta e parë që nisi më 9 mars, nuk kishte asnjë lloj impakti, pasi me paketën që dha qeveria qytetarët ishin të pakënaqur.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Resuli u shpreh se fermerët duhet të merrnin ndihma maksimale në mënyrë që të rrisnin prodhimtarinë dhe të siguronin bukën e gojës.
Ervin Resuli: Më shumë se kurrë fermerët apo prodhuesit vendor duhet të ishin në nivelet maksimale të kapaciteteve të tyre për të rritur prodhimtarinë dhe për të siguruar bukën e popullit.
Përsa i përket protestave, unë nuk i shoh protestat në numra për aq kohë sa pjesa e qytetarëve ka kërkesa të prekshme nga të gjithë ne. Pritej prej kohësh një mekanizëm që do të zbuste situatën, qoftë të krijuar nga lufta apo nga çmimet globale. Në protestën e parë patëm një paketë nga qeveria por nuk ishim të kënaqur. Sot jemi përballë një situate që këto lëvizje nuk dhanë asnjë lloj impakti. Ka pas shumë propozime edhe nga shoqëria civile edhe nga njerëz që kanë qenë pesimist kundrejt këtyre paketave.
Ndër të tjera ai tha se skema e rimbursimit të karburanteve për fermeret funksionon vetëm për klientelistët e Ministrisë së Bujqësisë.
Ervin Resuli: Skema e rimbursimit të karburanteve për fermerët po funksion për klientelistët e Ministrisë së Bujqësis, dhe për ata që nuk e punojnë tokën. Nafta nuk shkon te fermeri që punon tokën. Kemi nga ato raste në të cilat fermeri i vërtetë që punon tokën e ka marrë tokën me qira ndërsa ai që e ka në pronësi merr naftën.
Më tej ai shtoi se fermerët sot në vendin tonë po punojnë për mbijetesë.
Ervin Resuli: Shqipëria sot jeton në dy lloj botësh, njëra është ajo e botës së qeverisë, të cilët suksesi sipas propagandës së saj është në nivelet më të larta, biles arrin të konkurrojë edhe Europën edhe Hollandën, ndërsa ana tjetër është ajo e fermerëve të vërtetë.
Fermeri shqiptar ka vite që mbijeton dhe mbetet në kuadrin e bujkrobërisë. Është një fermer, i cili punon më shumë për mbijetesë.
