Pampuri: Kriza e opozitës u zhvendos në foltore, duhet të jemi të bashkuar që t’i kundërvihemi Ramës
Deputetja e PD-së, Oriola Pampuri, është shprehur se kriza që është në mesin e opozitës është zhvendosur dhe në foltoren e Kuvendit, dhe sipas saj kjo nuk është e shëndetshme për opozitën.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Pampuri u shpreh se opozita duhet të jetë e bashkuar në mënyrë që t’i bëjnë ballë kryeministrit Edi Rama.
Oriola Pampuri: Kriza që është në mes të opozitës, ka ndikuar dhe është zhvendosur dhe në foltoren e Kuvendit. Kjo nuk është e shëndetshme për figurën e opozitës që duhet të jetë e fortë përballë një qeverie të korruptuar. Qytetarët presin që ndryshimi të vijë nga opozita. Ne duhet të jemi të bashkuar për të çuar deri në fund kauzat. Këto duhet të na bëjnë më të fortë për të qenë në krah të qytetarëve. Unë kam thënë në çdo moment që duhet bashkimi. Askush nuk ka vullnet për bashkim.
Përsa i përket reformës territoriale, ajo tha se po bëjnë konsultime për të hartuar një draft, ndërsa u shpreh se kësaj çështje do i shkojnë deri në fund.
Oriola Pampuri: Ne kemi disa piketa të rëndësishme të cilave do u mëshojmë për të bërë ndryshimin, po patjetër që do të bëjmë konsultime të vazhdueshme për të hartuar një draft, me anë të cilit do të prezantojmë nevojat prioritet dhe ndryshimet që do të kërkojmë nga kjo reformë territoriale. Ne do i shkojmë deri në fund kërkesave tona për reformën territoriale dhe kjo është e padiskutueshme.
