SPAK: Urdhri për dosjen “Dumani” vetëm për gazetarin e Ora News, hetim kush nxori sekretin hetimor

SPAK ka reaguar lidhur me urdhrin për të ndaluar publikimin e dosjes së dëshmive nga Nuredin Dumani në medie.

SPAK sqaron se një urdhër i tillë është dhënë vetëm për gazetarin e Ora Neës, Elton Qyno, ku sipas Prokurorisë së Posaçme ai ka nxjerrë akte sekrete të procedimit penal për çështjen.

SPAK shton se po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret ka dalë dhe siguron se ata do të mbajnë përgjegjësi.

Reagimi i SPAK:

Nisur nga  interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhrin e prokurorëve të  Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit  të akteve dhe përmbajtjes  së tyre’’ sqarojmë se;

Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit  për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete  të procedimit penal nr.75/2022. Sqarojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër ia ka adresuar  vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për  të sqaruar rrethanat  në të cilat informacioni  hetimor sekret është  transmetuar  tek personat që më pas e kanë publikuar atë, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të personit/personave që ka/kanë nxjerrë sekretin hetimor.

Ne mirëkuptojmë interesin e mediave për informimin e opinionit publik, por ky interes nuk mund  dhe nuk duhet të cenojë një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmenduar gjatë hetimit, i cili vazhdon.

Ndërkohë, vetë gazetari Elton Qyno shprehet se sot SPAK dhe BKH vendosën ta detyrojnë të mbyll gojën, duke mos më lejuar të flas qoftë dhe pjesërisht.

Ai theksoi se urdhri i SPAK është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Strasburgut që shprehet qartësisht për lirinë e medias dhe rëndësinë e raportimit të medias, në dobi të transparencës.