Mbyllja e gojës me kërcënim me burg, gazetarët solidarizohen me Qynon pas urdhrit të SPAK

Urdhri i SPAK për ti mbyllur gojën gazetarit Elton Qyno lidhur me dëshminë e Dumanit, duke e kërcënuar me burg nuk është pritur aspak mirë nga kolegët e tij në media të cilët janë solidarizuar me të.

Gazetari Bledian Koka nga Syri Tv shkruan se gazetarët e kronikës duhet të bëhen bashkë kundër këtij vendimi.

Koka: Gazetaret e SPAK-ut dhe GAZETARET! Ne nje njoftim te dyte pasi e ndriti me te parin, SPAK na informon se liria e medias i takon te gjithe gazetareve pervecse Elton Qynos. Ky Qyno qenka sebepi i marmalates qe SPAK-ku ka hedhur me lopata neper media prej dy javesh sipas interesit te partise, ama tani qe interesi Partise eshte ne dyshim, hajde ti mbyllim gojen Elton Qynos dhe vetem Elton Qynos! p.s...tani gazetaret e kronikes ose behen bashke kunder ketij maskaralleku, ose do na duhet te besojme ate qe dyshojme, qe disa jane gazetar te SPAK-ut te Partise, e vetem fare pak prej tyre thjeshte GAZETARE!

Lindita Çela e BIRN thotë se urdhri i SPAK që kërcënon, më së pari gazetarët, me burgimin në përhapjen e dëshmive të ca të "penduarve", është precedenti më i rrezikshëmi lëshuar nga një strukturë me pritshmëri të larta për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të qeverisë.

Çela: Urdhri i SPAK që kërcënon, më së pari gazetarët, me burgimin në përhapjen e dëshmive të ca të "penduarve", është precedenti më i rrezikshëm, në gjykimin tim, e lëshuar nga një strukturë me pritshmëri të larta për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta të qeverisë.Për qëllimin që u krijua SPAK jam ende në pritje, por nuk mund të hesht kur një urdhër-kërcënimi lëshohet duke iu referuar një ligji që flet për "sekret shtetërorë" e që katandiset në vendim me tre firma prokurorësh, me demek për të penguar përhapjen e dëshmive të thëna nga persona, që dukshëm në interes të tyre mund deklarojnë se kanë dërguar në orbitë, dy satelitë të emërtuar “Albania1 dhe Albania 2”. Të diskutosh nëse çdo deklaratë e thënë, qoftë kjo edhe përpara prokurorëve të vetuar, a përbën interes publik, është një çështje që hap debat mbi të cilin jam fort e qartë. Por, të urdhërosh mospërhapjen e lajmit dhe të kërcënosh se kushdo që e publikon apo përhap këto dëshmi, në rastin më të mirë tregon se ky institucion vepron si në kohën e Nuhut. Unë nuk po analizoj se sa të vërteta apo jo janë këto dëshmi, mund edhe të dakortësohem me SPAK, se mendoj se këto dëshmi nuk kanë pikën e interesit publik për tu publikuar, qofsha e gabuar. As dhe nuk mendoj se do të ketë dhe gazetar që do të përfundojnë ne burg, por me shqetëson "pushteti për të kërcënuar" dhe letra e harxhuar për të prodhuar një "urdhër". E di fort mirë ky urdhër do të mbetet veç në letër, pasi sot ka qindra metoda të cilat jo vetëm lejojnë publikimin dhe përhapjen, por do të detyrojnë edhe SPAK të nisë një tjetër hetim për zbulimin e "rrjetit të krimit të organizuar të përhapjes së lajmeve". Dhe deri sa ta zbulojnë procedimin duhet ta shpallin më së pari "Sekret Shtetëror".

Enton Abilekaj nga Dosja.al thotë se urdhri i prokurorëve të SPAK duhet të injorohet ndryshe gazetarët do të trajtohen si zëdhënës të pushtetit.

Abilekaj: Pas tentatives se deshtuar per te konfiskuar kompjuterat e Lapsi.al, SPAK po konfiskon lajmet ne gjithe median dhe po mbyll gojen e gazetareve. Sekretin hetimor, sipas prokuroreve te vjeter te Drejtesise se Re, duhet ta ruajne gazetaret, pasi e nxjerr SPAK. Ky urdher duhet te injorohet, te mos konsiderohet fare, ndryshe do t'i hape rrugen Pushtetit t'i trajtoje gazetaret si zedhenesit e tij.

Basir Çollaku nga Shijak Tv thotë se prokuroria ka halle me dosje të tjera.

Çollaku: Elton Qyno ka bere pune te shkelqyer, ashtu siç ia kerkon profesioni, ne interes te transparences dhe publikut. SPAK-u te vazhdoje me arrestet..Urdher per nje gazetar eshte unik. Prokuroria ka halle me dosje te tjera, ku i kane plas ujrat.

Ndërsa Lutfi Dervishi nga RTSH është përballë dilemës nëse sekreti hetimor u nxor nga prokurorët apo gazetarët.

Dervishi: Nxjerrja e sekretit: gazetarët apo prokurorët?!Jemi i vetmi vend që lëshojmë udhëzime e urdhëra për të mos shkelur ligjin! Të penduarit e drejtësisë, Dumani & Hoxhën, i kanë marrë në pyetje gazetarët apo prokurorët? Sërish rasti kur ujku bërtet kapeni ujkun!