Bumçi: Qeveria po merr më shumë taksa se kishte planifikuar. Rritja e çmimeve e gjeti PD në konflikt
Ish-ministri i jashtëm Aldo Bumçi, është shprehur se qeveria e Shqipërisë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ka dhënë ndihmën më të ulët për qytetarët, ndërkohë që vendi po përballet me një krizë ekonomike.
Në një intervistë për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj, Bumçi u shpreh se tek inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë ndikim nga pandemia dhe lufta në Ukrainë.
Aldo Bumçi: Inflacioni dhe rritja e çmimeve, ka ndikim nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, por pyetja është se çfarë bën qeveria në një krizë të tillë. Ndihma jonë është 0.2, 0.3% e prodhimit të përgjithshëm bruto, Kosova e ka dyfishin tonë. Kurse Serbia me Maqedoninë e kanë ndihmën 10 herë më të lartë se ne. Nëse ne nuk arrijmë dot t’i mbështesim qytetarët tonë, kjo është dështim i qeverisë.
Çfarë bën qeveria?
Bumçi u shpreh se qeveria në këto krize merr më shumë taksa nga qytetarët sesa kishte planifikuar.
Aldo Bumçi: Qeveria merr taksa për çdo konsum që ne konsumojmë. Rritja e çmimeve sjellë inflacionin. Në këto kohë krize qeveria merr më shumë taksa se sa kishte planifikuar. Si mundet që në një kohë krize qeveria të marrë taksa në kohë krize, kjo është kriminale.
Më tej shtoi se Shqipëria është vendi më i goditur nga ekonomia pasi qeveria ka ngritur taksat për shkak se arka e shtetit është bosh.
Aldo Bumçi: Rritja e çmimit të naftës po sjellë ulje të aktivitetit ekonomik. Kjo qeveri vetëm po na merr lekë, prandaj sot Shqipëria është vendi më i goditur nga kriza. Qeveria i ngre taksat sepse e ka arkën bosh. Ka ngritur taksat dhe ka rritur borxhin. Çfarë i ka dhënë Rama qytetarëve mbrapsht?
Ai theksoi ndër të tjera se: Opozita është duke i prirë, por kjo krizë, kjo rritje çmimesh e gjeti opozitën në një konflikt, a në një periudhë riorganizimi të brendshëm. Zhvillimet brenda PD i shërbenin Edi Ramës./ A.K, ORA NEWS/
