U kapën me rreth 20 kg kokainë në Itali, Kajmaku dhe nipi i tij mohojnë akuzat

Agim Kajmaku dhe nipi i tij, Edmondi, kanë mohuar që të kenë lidhje me sasinë e kokainës prej 18.8 kg që u kap në Itali.

Avokati mbrojtës i të dyve, Vittorio Supino është shprehur se klientët e tij janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni të drogës, ndërkohë ka dhënë një detaj që sipas tij mund të ketë shërbyer për të implikuar ish-kryebashkiakun në trafik droge.

Mediat italiane, bëjnë me dije se avokati ka deklaruar se atyre u është gjetur një shirit ngjitës, por nuk ka qenë i njëjtë me atë që ishin mbështjellë pakot e kokainës.

Ndërkohë hetuesit vijojnë hetimet për të konstatuar se si ka mbërritur në fidanishte 18.8 kilogramë kokainë e cila ishte fshehur në vazot e bimëve që ishin blerë nga Kajmaku dhe nipi i tij. Ata u arrestuan në fidanishten e  Grottammare, ku po blinin bimë. 

Kajmaku dhe nipi, 34-vjeçar i cili banon në Monterubbiano, janë ende të burgosur në burgun e Fermos. Agim Kajmaku është arrestuar në 27 maj 2022 me rreth 20 kg kokaine në zonën e San Benedeto del Tronto. Kajmaku ishte pronar i një çerdheje në zonën ku është arrestuar ndërsa jetonte me familjen në Monterubbiano

Pas kapjes së tij autoritetet italiane kanë kërkuar informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit.

Për më shumë se 8 muaj policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij, ndërsa nisi ta mbante në vëzhgim derisa u arrestua me 20 kilogramë kokainë.

Agim Kajmaku, u zgjodh kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vitit 2019, ku opozita nuk mori pjesë, por nuk e gëzoi për shumë kohë atë mandate.