"Habitem si investojnë kot!" Nano i prerë: Ashtu si me radarin, s'ka negociata me policinë për kanabisin
Në sera, male apo shtëpi bari është koha e kultivimit të hashashit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, nga Korça u dha strukturave porositë se askush nuk do të falet, ndërsa kultivuesve mesazhin se asnjë nuk do të përfitojë.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, jo pa qëllim zgjodhi Korçën për të dhënë disa porosi për luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike.
"Policia është e vendosur dhe do të qëndrojë e fortë ndaj çdo individi e grupi individësh që përpiqen të kultivojnë kanabis".
Në takimin e task-forcës rajonale, kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave, duke u kujtuar përgjegjesitë.
"Të gjithë jemi përgjegjës, të detyruar e të ngarkuar me këtë punë për të luftuar lëndët narkotike, policia e bën këtë punë edhe në kohë të vështira, ndonëse me shumë kosto edhe në njerëz, nuk jemi tërhequr".
Drejtori i Policisë theksoi se falë mbështetjes së Guardia Di Finanza dhe dronëve arrihet monitorimi i çdo terreni nga ajri.
Ndaj kishte një paralajmërim për ata që kanë kultivuar kanabis sativa.
"Habitem pse investojnë kot për kultivim, që ka ende njerëz që investojnë kot, nga kjo punë nuk do të fitojë askush, por edhe për ata që bëjnë sikur nuk shikojnë dhe ndihmojnë këta individë".
Shqipëria ende konsiderohet si vend origjine për lëndët narkotike me qëllim trafikimin në vendet e BE
Kryepolici edhe këtu kishte një mesazh.
"Si puna e gjobës që e prodhon radari, që sbën dot negociatë, edhe me kultivimin e bimëve narkotike nuk ka negociata me policinë e shtetit".
Nga Korça, por drejtuar gjithë strukturës, Drejtori i Policisë kërkoi raportime për zonat e dyshuara ku kultivohet kanabis, por dhe dokumentimin e plotë të çdo rrënje të asgjësuar.