Më pak grurë në Myzeqe, bujqit heqin dorë nga kultivimi për shkak të kostove të larta

Për shkak të kostove të larta fermerët në Myzeqe kanë hequr dorë nga kultivimi i grurit. Ata thonë se e kanë të pamundur të përballojnë shtrenjtimin e plehrave kimike ndaj i bëjnë thirrje qeverisë për mbështetje.

Këtë vit në tokat e Myzeqesë ka më pak grurë.

"Kanë hequr dorë njerëzit nga gruri."

Kultivuesit në fshatrat e Grecallisë, Mujallisë dhe Daullasit në Fier thonë se nuk përballojnë dot çmimet e larta të plehrave dhe naftës.

"Nga 40 mijë lekë kuintali i dapit vajti 120 mijë lekë."

Madje këtë vit janë kursyer në përdorimin e tyre ndaj edhe prodhimi nuk ka qenë aq i mbarë.

"Nuk kishim lekë për ti hedhur një dorë pleh."

Shumica kanë mbjellë sa për të siguruar bukën e familjes.

"Leverdi ka ai që do të hajë bukë".

Ata që kanë mbjellë edhe për të shitur shpresojnë që të marrin lekët që kanë shpenzuar.

"Ta japësh me 25-27 si vitet e tjera nuk marrim as lekët tona."

Thonë se nga shteti nuk kanë përfituar asnjë ndihmë. Qeverisë i bëjnë thirrje që të kthejë sytë nga fshati.

"Duam ndihmë nga shteti për subvencionimet e plehrave dhe naftës."

"Ata nuk shikojnë nga ne fare."

E njëjta situatë është edhe në fshatrat e tjerë të Fierit aty ku fermerët po detyrohen të lënë tokat djerrë për shkak të kostove të larta që ka kultivimi i tyre dhe mungesës së politikave mbështetëse nga qeveria.