Shkodër: “Lufta” në derë të lokalit, në arrati ekzekutori i të moshuarit në karrige me rrota

Ekzekutori i 76 vjeçarit Lulash Qepuri në Shkodër mbetet i lirë në arrati, ndërsa motivi i vrasjes së të moshuarit në karrige me rrota ende mbetet i paqartë. Djali i viktimës iu kundërpërgjigj vrasësit me armë shotgun, por pa mundur ta neutralizojë.

Atentati ndaj 76 vjecarit Lulash Qepuri në fshatin Stom Golem të Shkodrës, mbrëmjen e 15 qershorit 2022 mbetet ende pa autorë dhe një motiv të qartë.

I moshuari qëndronte në një karrike me rrota pranë lokalit të tij kur u sulmua

Autori sipas burimeve erdhi I maskuar dhe e qëlloi me breshëri plumbash.

Djali i 76 vjecarit dyshohet se iu kundërpërgjigj ekzekutorit të cilin dyshohet se po e priste një makinë në zone.

Më pas ai ka njoftuar policinë duke u thënë “më vranë babanë”

Kur mbërritën në vendngjarje, ekspertët gjetën 26 gëzhoja dhe një armë shotgun që ishte hedhur në mes të rrugës.

E gjithë dinamika mësohet se është filmuar nga disa kamera sigurie të bizneseve në zone.

Mbi bazë të pamjeve, grupi hetimor po tenton të identifikojë autorin e vrasjes i cili pas krimit humbi gjurmët.

Kontrollet e para të policisë dhe grupeve të FNSH që dolën në ndihmë nuk dhanë rezultat.

Shkodër: “Lufta” në derë të lokalit, në
Viktima Lulash Qepuri

Lulash Qepuri mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në Spitalin e Shkodrës për pasojë të plagëve të marra.

Në vitin 2011, ai ka qenë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe municione luftarake të gjetura në të njëjtin lokal ku u vra.

Hetimet janë shtrirë në disa pista, që shtrihen nga ngjarjet e vjetra deri tek përplasje më të reja që mund të ketë patur 76 vjeçari apo familjarë të tij.

Dëshmia e të birit, dhe personave të tjerë cilësohen të vlefshme nga grupi hetimor për të zbardhur vrasjen e të moshuarit në Shkodër.