Scholz në Maqedoninë e Veriut: Shkupi është gati për fillimin e negociatave të anëtarësimit

Pas ndalesës në Prishtinë, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, zhvilloi këtë të shtunë takime me krerët më të lartë të Maqedonisë së Veriut.

Në konferencën për mediat, pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, kancelari theksoi se Shkupi i ka përmbushur të gjitha detyrat për fillimin e negociatave për anëtarësim.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

“Ne jemi të gatshëm të marrim një vendim të tillë dhe do të bëjmë gjithçka që këtë ta bëjnë të gjitha shtetet. Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha parakushtet dhe unë do të angazhohem që kjo të ndodhë”, ka deklaruar kancelari gjerman duke shtuar se integrimi i rajonit në BE ishte premtuar para 20 viteve.

Nga ana tjetër Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski solli në vëmendje se nisja e bisedimeve tashmë varet nga Bullgaria që siç tha ai po mban “peng” dy shtete kandidate për anëtarësim.

“Asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar këtë çështje për pikë të brendshme politike dhe në Bullgari është ngritur në nivelin e politikës së brendshme dhe shpeshherë është instrumentalizuar, gjë që nuk është mirë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe nisja e bisedimeve aktualisht varet nga vetëm një shtet anëtar i BE-së që mban peng dy shtete kandidate për anëtarësim: Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Kovaçevski.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përmendur Procesin e Berlinit, i cili sipas tij që nga viti 2014 ka treguar nevojën për bashkëpunim mes gjashte shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Dua rigjallërimin e Procesit të Berlinit si shumë i rëndësishëm për vazhdimin e planit aksional për treg të përbashkët rajonal, që ishte vendosur para dy viteve në Sofje, e që ka të bëjë me garantimin e katër lirive: lirinë e lëvizjes se mallrave, të njerëzve, kapitalit dhe bashkëpunimit rajonal. Integrimi ekonomik ka rëndësi shumë të madhe për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, pasi kjo forcon ekonominë dhe përmirëson raportet e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar kancelari gjerman, Olaf Scholz.