Britani e Madhe/ Anulohet në minutën e fundit udhëtimi për kthimin e emigrantëve
Plani i qeverisë së Britanisë së Madhe për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda është anuluar në minutën e fundit pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e ka dënuar këtë nismë.
Shtatë persona që kishin mbërritur në Britani për të kërkuar strehim pritej të largoheshin në vendin e Afrikës Lindore një orë e gjysmë përpara se fluturimi të nisej. Mes tyre ndodhej dhe një azilkërkues shqiptar dhe viktimë e dyshuar e trafikimit.
Ai ka thënë për TheGuardian se ishte në një gjendje shumë të keqe mendore teksa po priste të hipte në fluturimin e deportimit për në Ruanda, një vend për të cilin ai tha se nuk dinte asgjë. Burri tha se kishte menduar të vriste veten në vend që të hipte në avion.
Media britanike shkruan se 26-vjeçari shqiptar ishte një prej shtatë azilkërkuesve që nisën sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore.
Pjesa tjetër përfshijnë tre iranianë, një azilkërkues irakian dhe një vietnamez, të cilët mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në mes të majit.
