Rusia u bën thirrje luftëtarëve në Severodonetsk: Dorëzoni armët si shokët tuaj në Mariupol

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë u bëri thirrje të martën luftëtarëve ukrainas në Severodonetsk që të dorëzojnë armët "siç ka ndodhur tashmë me shokët tuaj që më parë u dorëzuan në Mariupol".

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve zyrtare në Kiev të tregojnë maturi dhe të japin udhëzimet e duhura për militantët që të ndalojnë rezistencën e tyre të pakuptimtë dhe të tërhiqen nga territori i uzinës Azot”, tha ministria në një deklaratë për shtyp.

Ministria tha se ishte e përgatitur të kryente një "operacion humanitar" të mërkurën për të evakuuar civilët nga uzina kimike Azot.

"Ushtria ruse njoftoi gatishmërinë e saj për të kryer një operacion humanitar për evakuimin e civilëve nga Azot në drejtimin verior," në drejtim të qytetit Svatove, në territorin e pushtuar nga Rusia,tha ministria.

Ministria bëri me dije se Rusia do të hapë një korridor evakuimi për civilët të mërkurën midis orës 08:00 dhe 20:00 me orën e Moskës.

Kreu ukrainas i administratës ushtarake të Severodonetsk tha të martën se pak më shumë se 500 civilë vazhduan të strehohen në fabrikën kimike Azot, e cila është ende nën kontrollin e Ukrainës, dhe për të cilën autoritetet thonë se ka qenë objektiv i bombardimeve intensive nga forcat ruse./CNN/