Sali Berisha: Sorosi armiku më i madh i shqiptarëve duhet ta luftojmë
Kryetari i PD-së Sali Berisha mblodhi kryetarët demokratë të degëve në rrethe për ti kërkuar mobilizimin e frontit opozitar kundër asaj që quajti qeveri moniste të Edi Ramës.
Jo vetëm kaq Berisha u kërkoi kryetarëve të degëve që të qartësojnë shqiptarët për rolin e Sorosit në rajon. Për Berishën miliarderi amerikan është armiku më i egër i shqiptarëve që po kërkon bashkë me Rusinë të instalojë në Ballkan Serbinë e madhe.
Sali Berisha: Armik i egër. Ky është George Soros. Nuk duhet të kemi asnjë iluzion. Duhet tu themi shqiptarëve të vërtetën siç është. Është armik i interesit kombëtarë të shqiptarëve. A nuk ishte ai promoter i ndarjes së kufijve të Kosovës? Për llogari të kujt e bënte këtë mbështetje? Në ndihmë të shqiptarëve, jo. Ato kufij Kosovës ia ka njohur Gjykata Ndërkombëtare. Për kë punonte Soros e suita e tij?
Punonte kundër shqiptarëve e pro Beogradit. Pasi dështoi me çështjen e kufijve nxori projektin tjetër, “Ballkani I Hapur. Tani që këtë projekt e mbështeti publikisht Lavrov a mund ta fshehë se po punon me rusët për destabilizimin e Ballkanit. Nuk e fsheh dot. Duhet të qartësojmë çdo shqiptar me guxim për këtë. Nuk duhet të pranojmë që interesat shqiptare të shkelmohen nga kushdoqoftë.
Do të thoni ju si do ia bëjmë se ky është një njeri shumë i fuqishëm por më të fuqishëm se njerëzit e lirë që vendosin të luftojnë për fatet e tyre nuk ka asnjë. Duhet të bindim shqiptarët të marrim në dorë fatet tona. U përpoqen me të gjitha mjetet që të caktonin kryetarin e PD-së por dështuan. Do të përpiqen të caktojnë të mbajnë prapë Edi Ramën kryeministër por do të dështojnë nëse ne ngrihemi në lartësinë e misionit tonë, ndaj ju bëj thirrje të qëndrojnë në nivelin e idealeve të anëtarësisë sonë dhe mbështetësve tanë.
Berisha tha se është koha të bëhe nata ditë
Sali Berisha: Koha është të bëjmë natën ditë, të bëjmë gjithçka për të shumëfishuar aktivitetin tonë se kemi trashëgiminë pozitive por kemi dhe problemet për ti zgjidhur. Duhet të veprojmë në shumë drejtime. Duhet të gjithë, kryesi, sekretarë në organizatorë në propagandistë të të vërtetave tona. Të shumëfishojmë aktivitetin tonë në media, rrjete sociale e kudo. Duhet të shndërrohemi në aktivistë që dimë të afrojmë shumë njerëz rreth vetes"