Edoardo Reja vlerëson paraqitjen e skuadrës por ka disa “kritika”
Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja komentoi barazimin e arritur në fushën e Islandës në ndeshjen debutuese të Ligës së Kombeve 2022. Fillimisht ai u ndal te paraqitja e skuadrës në fushën e lojës dhe më pas u ndal edhe te ndeshjet e ardhshme.
"Në pjesën e parë luajtëm një ndeshje të mirë ndërsa në të dytën patëm një “black out” dhe u dhuruam një gol. Bëmë lojën e tyre sepse ata u mbyllën dhe kërkuan të na ndëshkonin në kundërsulm. Pjesën e dytë nuk e goditëm asnjëherë portën dhe nuk treguam aspak agresivitet, edhe pse kundërshtarët ishin të fortë fizikisht. Ndoshta duhej të bënim diçka më shumë për ta fituar këtë ndeshje.
Roshi nuk ishte në gjendje të mirë sepse ka qenë me temperaturë madje nuk mori pjesë as në seancën e fundit stërvitore.
Nuk është çështje skemash sepse unë u përpoqa të aktivizoja dy lojtarë të mirë fizikisht në pjesën e dytë ndërsa për pjesën tjetër, skuadra funksionoi pothuajse si në pjesën e parë. Për fat të keq nuk arritëm të bënim mirë në pjesën e mesfushës dhe sulmit ku krijuam pak. Më vjen keq sepse këto janë ndeshje ku duhet të marrim maksimumin. Tani ndaj Izraelit nuk duhet të gabojmë në asnjë rrethanë.
Është diçka karakteriale lehtësia me të cilën pësojmë gol. E gjithë ndeshja ishte te ai moment. Mjaftonte që të prisnim edhe 10 minuta dhe ndeshjen do ta kishim në drejtimin tonë sepse do të na krijoheshin hapësira. Gabime të tilla nuk duhet të na ndodhin më sepse ata luajtën ndeshjen që kishin planifikuar, ndërsa ne jo".