"Firon" samiti i Ballkanit të Hapur. Vetëm tre shtete marrin pjesë në 8 qershor
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kryeministri ynë Edi Rama dhe ai maqedonas Dimitar Kovaçevski do të mblidhen në Ohër për të mbajtur samitin e radhës të iniciativës rajonale të themeluar në Serbi, Ballkani i Hapur në 8 qershor.
Mediet fqinje kanë siguruar memorandumin e mirëkuptimit i cili pritet të firmoset nga tre liderët e vendeve të rajonit.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të obligohen për të nënshkruar përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tria vendet.
Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe një marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe atë turistik.
Mirëpo, në asnjërin prej katër dokumenteve që pritet të nënshkruhen nuk përmendet procesi i zgjerimit në Bashkimin Evropian, por ftohen shtetet e tjera të interesuara për të bashkëpunuar në të ardhmen.
Në samitin e Ohrit për herë të parë do të marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Shqiptaro-malazezi është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij pasi nuk e përjashtoi mundësinë e anëtarësimit të Podgoricës në nismën rajonale të themeluar në 2019.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ftesën e homologut të tij maqedonas Dimitar Kovaçevski për t’u bërë pjesë e Open Balkan.
Që prej nisjes së saj, edhe pse nisma ka marrë pëlqim nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe dy Administratave amerikane, përsëri ajo ka mbetur e paplotë, duke qenë se vetëm 3 shtete iu bashkuan nismës të themeluar për pjesëmarrjen e të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shumë figura politika në Kosovë, në Shqipëri dhe në Evropë shprehen të shqetësuar se nisma Open Balkan po zëvendëson Procesin e Berlinit të nënshkruar nga të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se i hap rrugën hegjemonisë serbe mbi vendet e tjera të rajonit.