Prangosen grabitësit e bankës në Koplik, mes tyre edhe një polic i burgut të Reçit
Policia e Shkodrës ka arritur të finalizojë operacionin për kapjen e personave që morën pjesë në grabitjen e bankës në Koplik.
Burimet i thanë Ora News se i përfshirë në grabitje është edhe një punonjës policie që shërben pranë burgut të Reçit.
Gjatë kontrollit të Banesës atij iu gjetën edhe 40 kg hashash.
Po ashtu në pranga për grabitjen ka përfunduar edhe 2 vëllezër.
"Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi të Madhe. Gjithashtu zbulohet një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave. Vihen në pranga 9 shtetas, procedohen penalisht 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen 31 kilogramë kanabis, pajisje që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, si dhe prova të tjera materiale që i shërbejnë hetimit për dokumentimin me prova ligjore të grabitjes me armë dhe dhunë të filialit të bankës në Koplik të Malësisë së Madhe." - njofton policia.
Gjatë kontrollit nga polumbarët e RENEA-s, deri tani është gjetur njëra nga armët e zjarrit që autorët kishin me vete gjatë kryerjes së grabitjes së vlerave monetare.
Sipas dëshmive autorët sipas të dhënave ishin të armatosur dhe të maskuar hynë na bankë dhe nën kërcënimin e armës u kanë kërkuar para punonjësve.
Pas grabitjes ata u larguan me shpejtësi me një makinë Volkswagen Golf ngjyrë e zezë, të cilin e kanë djegur në periferi të qytetit.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 14.10 minuta, kur këto të fundit kanë hyrë brenda duke kërcënuar punonjësit që t’u jepnin paratë dhe pasi kanë marrë shumën në fjalë, janë larguar me automjetin tip Wolksvagen të parkuar jashtë mjediseve të bankës.
Në dalje të qytetit të Koplikut, në rreth-rrotullimin që njihet si kufiri me njësinë administrative të Bajzës së Kastratit, ata kanë djegur mjetin në mes të rrugës kryesore Shkodër-Han i Hotit.
Më pas nën kërcënimin e armës i kanë marrë automjetin tip Benz një kalimtari të rastit, duke arritur t’i largohen policisë.

