Dendias në Serbi: Procesi i anëtarësimit juaj në BE i ngadaltë, Ballkani i Hapur na intereson

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias pas takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq është shprehur se ka zhgënjim për këtë ritëm shumë të ngadaltë të procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor edhe për Serbinë.

Dendias shtoi se është diskutuar edhe për Ballkanin e Hapur gjë të cilën e ka diskutuar edhe me kryeministrin Rama në Tiranë pak ditë më parë.

Dendias: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Duhet të jem i sinqertë me ju. E kuptoj që ka lodhje dhe e kuptoj se ka zhgënjim për këtë ritëm shumë të ngadaltë të procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, dhe kjo vlen edhe për Serbinë, një komb i dashur mik. Por, më lejoni të jem gjithashtu i qartë. Ne besojmë se kjo është e vetmja rrugë drejt paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për rajonin tonë. Dhe më duhet të them, rajoni duhet të qëndrojë larg premtimeve të rreme dhe ne duhet të trajtojmë çështjen e fuqive revizioniste që duan të kthejnë orën e rajonit tonë prapa, në mënyrë që të ringjallin Perandoritë e vjetra dhe të përpiqen të rivizatojnë hartën e Ballkani. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë.

Së dyti, ka të bëjë me rajonin tonë, i gjithë rajoni duhet të shikojë drejt një të ardhmeje të përbashkët, jo drejt së shkuarës. Ne duhet të adresojmë sfidat që kemi përpara dhe në këtë drejtim diskutuam sot shumë gjëra. Diskutuam për Ballkanin e Hapur, diçka që na intereson. Dhe më duhet t'ju them se këtë e kemi diskutuar me kryeministrin Rama në Tiranë pak ditë më parë.