Fundi i rrugës evropiane të Serbisë? Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov viziton Beogradin në mes të kritikave të perëndimit ndaj Vuçiç

Në Serbi kanë nisur përgatitjet lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov.

Kreu i diplomacisë ruse vjen në Serbi në një kohë kur ushtria e tij gjendet prej më shumë se tre muajsh në Ukrainë.

Kjo është vizita e tij e parë në një vend të kontinentit tonë dhe për më tepër, një vend që aspiron për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Më herët ai vizitoi Kinën, Indinë dhe Lindjen e Mesme, vende të cilat edhe pse kanë shpallur gjoja neutralitetin nuk e kanë dënuar agresionin rus dhe kanë zhvilluar tregtinë me Moskën gjatë kësaj periudhe lufte.

Edhe presidenti Vuçiç nga Bosnja Hercegovina e pranoi se ardhja e Lavrov në rrethanat aktuale nuk do të jetë si vizitat e tjera.

Ai tha se situata po ndërlikohet dhe shprehu pasiguri për të ardhmen.

Vizita e Lavrov në Beograd vjen në një kohë, kur Bashkimi Evropian ka shprehur pakënaqësinë për rinovimin e marrëveshjes së gazit me Moskën dhe sipas anlistëve, ky akt e lë Serbinë hapa larg integrimit.

Mbetet për t’u parë se sa do të shtohet doza e kritikave, apo edhe akteve politike të Brukselit dhe Uashingtonit kundrejt Serbisë.

Në agjendën e kryediplomatit rus është vizita me Vuçiç, kreun e Kuvendit, Ivica Daçiç dhe kryepeshkopin e Kishës ortodokse serbe, patriarkun Porfirije.

Kujtojmë që Serbia nuk e ka dënuar luftën në Ukrainë dhe është munduar gjoja të mbajë neutralitetin megjithëse marrëveshjet e vazhdueshme me Moskën vërtetojnë të kundërtën, ndërsa i gjithë perëndimi po përpiqet të shkëpusë çdo lloj tregtie me Rusinë.