Bullizmi, tani forca më e madhe/ Labinot Azemi, djali që ia doli mbi gjithçka
I ftuar në studion e emisionit “Jeto me Orën” në RTV Ora ishte Labinot Azemi nga Kosova, i riu që gjatë jetës së tij është bullizuar për shkak të asimetrisë në fytyrën e tij. Ai tregoi për përjetimet e tij në periudha të ndryshme dhe për mbështetjen që ka pasur nga njerëzit.
Labinot Azemi: Paraqitja ime e jashtme ka bërë bujë edhe kur isha fëmijë. Nuk e kam përjetuar fëmijërinë dhe adoleshencën si të gjithë të tjerët. Kam bërë dy operacione kur kam qenë fëmijë. Njëri prej tyre nuk ka qenë i suksesshëm dhe më ka lënë pasoja. Më ka bërë të mbyllem në vete, të mos e dua jetën. Sot e shoh jetën në një mënyrë tjetër. Nuk ka qenë e lehtë, ka qenë e vështirë. Dalja ime e pare publike ka qenë në Kosovë, kam pasur pak frikë për publikun si do më gjykonte. Artistët dhe njerëzit e thjeshtë u sensibilizuan.
Më ka shkruar një prind ku më thoshte se e kishte fëmijën si unë dhe ishte çliruar pasi kishte dëgjuar historinë time. Nuk jam kundër operacioneve plastike, por unë do të qëndroj kështu siç më ka falur zoti. Më kanë mbështetur shumë personazhe, Dafina Zeqiri, Aurela Gaçe, Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaji.
