Kina, ‘xheloze’ për marrëdhënien SHBA-Tajvan
Kina është shqetësuar nga marrëveshjet e fundit tregtare në fushën teknologjike mes SHBA-ve dhe Tajvanit. Pekini i kërcënon të dyja vendet, njërën me ndërprerje të marrëdhënies diplomatike e tjetrën me sulm ushtarak.
Pekini ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara e po ashtu edhe Tajvanin, pasi dy vendet kanë nisur bisedimet për të lidhur marrëdhënie tregtare.
Zyra e diplomacisë kineze tha të enjten se kundërshton fort thellimin e lidhjeve tregtare mes dy vendeve.
“Kina ka kundërshtuar gjithmonë me vendosmëri çdo formë të shkëmbimeve zyrtare midis Tajvanit dhe vendeve që kanë lidhje diplomatike me ne, duke përfshirë negocimin dhe nënshkrimin e çdo marrëveshjeje zyrtare dhe që e njeh Tajvanin si shtet sovran.”
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze kërcënoi Uashingtonin se me afrimin e tepërt me Tajvanin, mund të humbasë marrëdhënien me Taipein.
“Këmbëngulja e palës amerikane për të luajtur me kartën e Tajvanit do t'i vendosë marrëdhëniet e Kinës me SHBA në një situatë të rrezikshme.”
E në fund, ai kërcënoi edhe Taipein zyrtar, që t’i jepte fund aleancave për pavarësi nga Pekini.
"Ne paralajmërojmë gjithashtu autoritetet e Tajvanit që t'i japin fund idesë për të kërkuar pavarësinë duke kërkuar mbështetjen e SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur, sepse sa më lart që të kërceni, aq më shumë do të vriteni kur të bini."
Kina e quan Tajvanin, si pjesë të vetën, megjithëse ishulli është vetëqeverisur që prej 1940.
Tensionet rreth Tajvanin janë rritur gjatë viteve të fundit pas shitjeve të reja të armëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vizitave të delegacioneve amerikan, përfshirë ato gjysmë zyrtare.
Kina e ka rritur aktivitetin ushtarak në Tajvan në javët e fundit, përmes avionëve luftarakë të Ushtrisë Popullore Kineze të cilët shkelin territorin ajror të shtetit ishullor.

