Lavrov së shpejti në Beograd, pritet firmosja e marrëveshjes për gazin rus
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov do të vizitojë Beogradin më javën e ardhshme më 7 qershor.
Sipas informacioneve që vijnë nga mediat ruse Nova.rs. mësohet se kreu i diplomacisë ruse do të mbërrijë në kryeqytetin e Serbisë më 7 qershor dhe do të takohet me presidentin Aleksander Vuçiç në Beograd.
Ministri Lavrov mbërrin në Serbi tre ditë përpara vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Ai vjen në një kohë presioni të madh ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, por edhe para bisedimeve të paralajmëruara mes Vuçiçit dhe Vladimir Putinit për gazin.
Lavrov ishte për herë të fundit në Beograd në tetor 2021, ndërsa kjo vizita do të jetë një mundësi për të sqaruar qëndrimin e Moskës për Kosovën duke pasur parasysh deklaratat e fundit të presidentit rus Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë rusë, të cilët bënë krahasime me situatën në Donbas.
