Albin Kurti kthehet nga ‘pushimet’, kryeministri: Vizita dyjavore në SHBA, për sigurinë dhe investimet

Albin Kurti ka ndarë me mediet qëllimin e vizitës së tij dyjavore në Shtetet e Bashkuara të cilën zyrtarë të opozitës në Kosovë e kanë quajtur edhe si ekspeditë. Kreu i qeverisë tha se kishte shkuar për çështjet e sigurisë së Kosovës, si edhe për të tërhequr investime të reja.

Kryeministri Albin Kurti është përgjigjur për qëllimin e vizitës së tij dyjavore në Shtetet e Bashkuara.

Këtë të premte, atij iu desh që të përballej me pyetjen se përse nuk takoi asnjë zyrtar të lartë në SHBA.

Por shefi i qeverisë e kishte asin nën mëngë, pasi takoi shefin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Kurti u tha gazetarëve qëllimin e vizitës në Shtetet e Bashkuara, megjithëse nuk dha rezultatet pozitive se kishte afruar kompani të reja amerikane për të investuar në Kosovë.

Ai thotë se në SHBA kanë folur edhe për Serbinë, për të cilën Administrata e zotit Biden është e angazhuar për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Kreu i qeverisë tha se kishte kërkuar nga SHBA edhe mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti gjatë kohës që ndodhej në Shtetet e Bashkuara, deklaronte se asnjë kryeministër tjetër i Kosovës nuk kishte qëndruar kaq gjatë në Amerikë.

Ndërsa opozita i quante vizitat e tij si ekspedita apo për pushime, për shkak se nuk po shfaqte rezultate me vizitat e tij.