Pakujdesia e shoferëve pas shiut përgjak rrugët e vendit, 1 viktimë, 9 të plagosur

Një viktimë dhe të paktën 9 të plagosur është bilanci aksidenteve të shënuara në rrugët e vendit në 24 orët e fundit. Shkak kryesor ishte pakujdesia e shoferëve pas reshjeve të shiut.

Një këmbësore mbeti viktimë e një aksidenti së shtunës në Kamzë. Gruaja rreth 57-vjeçe dhe një 20 vjeçare u përplasën nga një makinë.

Goditja ishte e fortë dhe për pasojë 57-vjeçarja ndërroi jetë në spital, ndërsa e reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i makinës një 32-vjeçar po nga Kamza përfundoi në pranga.

"Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 32 vjeç, banues në Kamzë, pasi mbrëmbjen e djeshme, rreth orës 21:00, në Kamzë, duke drejtuar mjetin e tij, ka aksidentuar shtetaset N. Sh., 57 vjeçe, dhe R. Ç., 20 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, shtetasja N. Sh., ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasja R. Ç., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve" njoftoi policia.

Një seri aksidentesh u shënuan në rrugët e vendit këtë të dielë.

Një mjet doli nga rruga në aksin në aksin në ndërtim Kardhiq- Delvinë 200 m larg tunelit të qafës së Skërficës.

Për pasojë, drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët janë të plagosur, por pa rrezik për jetën.

Dyshimet janë se tre personat, anëtarë të një familje nga Berati, me nënshtetësi amerikae ngatërruan rrugën për shkak të mungesës se tabelave sinjalizuese

Rruga është ende në ndërtim, por për shkak të avancimit të punimeve janë të shumta mjetet që lëvizin në një segment prej mbi 10 kilometrash.

Ky është aksidenti i tretë që shënohet në këtë aks gjatë javëve të fundit.

Katër persona mbeten të plagosur në një aksident në aksin Lin- Pogradec, ku u përplasën dy makina ballë për ballë.

Dyshimet janë se shkak u bë shpejtësia e njërit prej mjeteve dhe lagështia në rrugë për shkak të reshjeve të shiut, por policia ende nuk ka dalë në përfundime.

Lagështia dyshohet se ishte faktor edhe në daljen nga rruga të këtij autoboti në aksin Himarë-Dhërmi.

Për pasojë, shoferi 60-vjeçar mbeti i plagosur.

66 persona kanë humbur jetën dhe më dhe 825 të tjerë janë plagosur si pasojë e aksidenteve në 5 muajt e parë të vitit.

Sjellja e drejtuesve të mjeteve vlerësohet shkak kryesor në 93% rasteve.