Tenori i famshëm italian Andrea Bocelli në zi, humb njeriun e shtrenjtë

Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare nëna e tenorit të famshëm italian Andrea Bocelli.

Lajmin e ka njoftuar stafi i artistit në Facebook me një shënim të shkurtër. 

“Me pikëllim të madh, stafi ynë njofton ndarjen nga jeta të zonjës Edi Aringhieri Bocelli, nënës së Andreas. Ajo do tu mungojë shumë të dashurve të saj dhe të gjithëve.Edi la shtëpinë e saj tokësore pas një jete të gjatë dhe të jashtëzakonshme për t'u bashkuar me bashkëshortin e saj të dashur, Sandro, në Parajsë. Të gjitha zemrat tona janë me Andrean dhe Veronican, Alberton dhe Cinzian, dhe të gjithë familjen Bocelli".

Edi Aringhieri, me origjinë nga Ponsacco (Pisa), ishte 84 vjeçe dhe prej disa ditësh, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, u shtrua në spitalin Lotti në Pontedera, ku edhe vdiq të premten në mbrëmje për shkak të komplikimeve pulmonare.

Trupi do të ekspozohet në shtëpinë e familjes në La Sterza di Lajatico.

Varrimi do të bëhet më 29 maj në orën 9 të mëngjesit në kishën e fshatit.

Famullia e San Leonardo Abate është kisha ku janë kremtuar gjithmonë të gjitha ceremonitë familjare, duke filluar nga martesa e parë e Bocellit, pagëzimi i fëmijëve të tij, martesa e vëllait të tij Alberto.

Nëna e tenorit do të varroset më pas pranë bashkëshortit të saj Sandro, i cili u nda nga jeta në vitin 2000, me të cilin drejtonte fermën e tyre dhe prodhimin e makinerive bujqësore.