Ishte dënuar me 14 vite burg për vrasje, kapet në Turqi 49-vjeçari nga Kuçova

Arrestohet në Turqi një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim për një vrasje të kryer në Kuçovë në vitin 1997.

Burime zyrtare të policisë thanë se në kuadër të operacionit të koduar “Behram” u bë e mundur kapja në Turqi dhe deportimi në Rinas i shtetasit Petro Tane (I njohur edhe si Petrit Tabaku), 49 vjeç, banues në Kuçovë. 

Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2006 është dënuar me 14 vjet burgim nga Gjykata e Apelit Vlorë, për veprat penale “Vrasja" dhe "Armëmbajtja pa leje”.

Burimet zyrtare thanë se i arrestuari Petro Tane, në vitin 1997, në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ka vrarë me armë zjarri automatik shtetasin me iniciale A. S.

Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg ndërkohë që arrestimi është kryer në tentativë për të hyrë në Turqi me dokumente false.