"Ukraina të japë Donbasin e Krimenë", Zelenski përplaset me ish-sekretarin e Shtetit amerikan
Presidenti ukrainas i është kundërpërgjigjur ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, pasi ky i fundit i sugjeroi Kievit që të hiqte dorë nga Krimea dhe Donbasi.
Duke folur nga Forumi Ekonomik i Davosit, 98-vjeçari tha që Ukraina të lëshonte territoret e saj në lindje dhe të hiqte përfundimisht nga Krimea e aneksuar.
Por lidershipi në Kiev nuk e ka mirëpritur propozimin e Kissinger duke rritur tonet ndaj tij.
"Kam përshtypjen se zoti Kissinger nuk ka vitin 2022 në kalendarin e tij, por atë të 1938, dhe se ai mendon se po flet me një audiencë jo në Davos, por në Mynih në atë kohë. Meqë ra fjala, në vitin 1938, kur familja e zotit Kissinger po ikte nga Gjermania naziste, ai ishte 15 vjeç dhe kuptonte gjithçka po ndodhte. Askush nuk dëgjoi prej tij atëherë se ishte e nevojshme të përshtatej me nazistët në vend që të ikte ose t’i luftonte ata," tha Zelenski.
Ndërsa e ironizoi duke e quajtur gjeopolitikan i madh, Zelenski i bëri thirrje që të shihnin njerëzit përpara se të flisnin.
"Gjeopolitikanët e mëdhenj që këshillojnë Ukrainën që t’i falë territore Rusisë jo gjithmonë i shohin njerëzit e zakonshëm, ukrainasit e zakonshëm, miliona njerëz që jetojnë në të vërtetë në territorin që ata propozojnë për ta shkëmbyer me iluzionin e paqes. Gjithmonë duhet të shohësh njerëzit," u shpreh ai.
Shumë personazhe kanë sugjeruar javët e fundi që Ukraina të bëjë kompromise duke lëshuar territore, të cilat Kievi i ka refuzuar.
