Ulet mesatarja e pranimit në disa programe bachelor, për Mësuesi vetëm maturantët me mesatare 7.5 e sipër

Numri i ulët i aplikimeve në programet e Mësuesisë ka sjellë edhe ndryshimin e vendimit të Këshillit të Ministrave mbi notën  mesatare për maturantët, të cilët duan të vazhdojnë studimet e larta.

Kushi: Sot të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë për mësuesi duhet të kenë minimumin e mesatares 7.5. Shqetësimet nga universitetet lidhen se jo të gjithë maturantët që regjistrohen duan të bëhen mësues. Në këto programe mund të hyjnë edhe maturantët që duan të vijojnë profesion tjetër. Jo të gjithë ata që vijojnë për gjuhë të huaj duan të bëhen mësues. Mund të ketë nga ata që duan të bëjnë përkthyesin apo profesion tjetër. E njëjta gjë është edhe për ata që studiojnë për gjuhë letërsi.

Tashmë çdo maturant me mesatare 6.5 mund të hyjë në programet e ciklit të parë në universitete, por ciklet në vijim do të jenë kufizuese për ta pasi nuk mund të aplikojnë në degët e mësuesisë.

Kushi: Ne i japim mundësinë edhe maturantëve që mbarojnë studimet me 6.5 të hyjnë në këto programe të ciklit të parë, por ata do të kenë një numër standard në numrin e matrikulimit që më pas të mos vazhdojnë për mësuesi por të vazhdojnë në programet e tjera të ciklit të dytë master për profesione të tjera. Është një ndryshim që e kemi dakordësuar dhe me vetë universitetet dhe presim që në vitin e ardhshëm, numri i regjistrimeve të jetë më i lartë. Mësuesit do të vazhdojnë të jenë maturantët me mesatare minimumi 7.5.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, u shpreh se ky ndryshim vjen për shkak të aplikimeve shumë të ulëta që universitetet kanë regjistruar në këto degë pasi cikli i lartë i studimeve për mësuesi jo gjithmonë është zgjedhja e studentëve.

Kushi: Në këto vite ka qenë shqetësim nga Universitetet që numri i regjistrimeve ka qenë shumë i ulët për shkak të këtij kufizimi të mesatares.

Pavarësisht se ky vendim sipas Kushit nuk ka të bëjë me një kolaps për mësues mbetet për tu parë sesi ky plan do të vihet në zbatim dhe nëse do të jetë i frytshëm ose jo.