Dhuna e tifozëve: Një polic u plagos me thikë, sekuestrohen leva, gurë, thika e lëndë piroteknike
Policia ka nisur masa për të garantuar sigurinë në zhvillimin e finales së Konference League në “Air Albania”.
Më herët nëndrejtori i policisë Albert Dervishaj publikoi të dhënat mbi përplasjet në mbrëmjen e së martës.
Sipas tij një grupim tifozësh u nisën drejt stadiumit kombëtar. Për të shmangur konfliktin e grupimeve policia ka ndërhyrë duke hasur në përplasje e më tej incidentet vazhduan dhe në disa zona.
Dervishi: Gjatë mbrëmjes së djeshme një grup tifozësh, kanë lëvizur drejt stadiumit Air Albania për të tentuar një konflikt me tifozët kundërshtarë. Policia ka tentuar të ndalojnë një grup të tifozëve holandezë, por ata kanë goditur policët me gurë, shishe qelqi dhe sende të forta. Në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë ka pasur sërish përplasje.
Sipas Dervishaj ndaj bluve u përdorën edhe thika.
“Si pasojë e dhunës së ushtruar, janë plagosur 19 punonjës policie, njëri prej të cilëve është plagosur me thikë. Janë dëmtuar 4 automjete policie.”
Një numër i lartë efektivësh u dëmtuan ashtu si dhe disa tifozë.
“Për sa më sipër në qendrat spitalore janë dërguar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, 5 shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë. Shërbimet e Policisë së Shtetit, bazuar në procedurat standarde të punës, i kanë bërë thirrje tifozëve për të ndërprerë përdorimin e dhunës.”
Si pasojë u ndaluan dhjetëra persona ku disa u larguan nga vendi.
“Në raport me sjelljen e kundërveprimin e tifozëve, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre. Janë shoqëruar 60 tifozë problematikë nga të dyja skuadrat, 48 italianë dhe 12 holandezë. I janë sekuestruar leva, gurë, thika, lëndë piroteknike.”
Policia bën thirrje për t’iu shmangur grupimeve të tifozerive.
“Nëpërmjet kësaj daljeje publike apelojmë dhe adresojmë një thirrje për tifozët italianë dhe holandezë, të cilëve do t’ua komunikojmë edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare, që të sillen dhe veprojnë si qytetarë evropianë, në qytet dhe në stadium, të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar dhe të mos konfrontohen me punonjësit e Policisë, përndryshe ligji do të zbatohet me rigorozitet.”

