Atentati në Durrës, autori qëlloi me automatik drejt dyqanit të 48 vjeçarit, Maneci vdiq në spital
Policia ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me vrasjen në Sukth të Durrësit, ku i vdekur ka mbetur Arben Mërkuri (Ismaili) me pseudonim “Maneci” 48-vjeç.
Policia bën me dije se ai humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Bëhet e ditur se autori ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të 'Manecit'.
“Në qendër të Sukthit, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri automatik, në drejtim të dyqanit të shtetasit Arben Merkuri 48 vjeç.
Për pasojë shtetasi Arben Merkuri, u plagos në gjendje të rëndë dhe si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë në spital. “- njofton policia.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja e saj, për te bërë të mundur kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
