Rama, negociator mes Erdogan dhe Suedisë për NATO-n? Ambasadorja: S'ja kam kërkuar, Turqia të shohë Shqipërinë
Suedia dhe Finlanda dorëzuan sot zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në NATO.
Ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad, në një intervistë për Rtv Ora përballë gazetares Besmira Pelushaj sqaroi se ky vendim u nxit nga pushtimi rus në Ukrainë.
Hastad: Siç e dini ky nuk ka qenë një vendim i lehtë për Suedinë por duhet të mendomin për sigurinë kombëtare të vendit tonë. Pas pushtimit rus në Ukrainë na u desh të rimendojmë pozicionin tonë dhe pëlqimi për anëtarësimin e Suedisë në NATO ishte në ngritje. Qeveria bashkë me Parlamentin analizuan situatën dhe përfundimi ishte të dorëzonin aplikimin për anëtarësim. Sot është ditë historike se Ambasadori ynë në NATO, në Bruksel dorëzoi aplikimin. Procesi është bashkërenduar ngushtësisht me Finlandën.
Diplomatja thotë se Suedia nuk ka ndjerë kërcënime serioze nga Rusia. Sipas saj, ky hap ishte më tepër një masë parandaluese.
Hastad: Nuk ishte një kërcënim i menjëhershëm, i gjithë mjedisi i sigurisë ka ndryshuar kur krejt patjetër shpërtheu një luftë në Europë. Ndjendja e emergjencës për këtë vendim ishte më e lartë. Ishte e rëndësishme të bashkoheshim me vendet e tjera. Nëse Suedia anëtarësohet në NATO do jemi një grup me shtetet e tjera. Suedia do kontribuojë në NATO, do jemi partner i mirë dhe i fortë. Nuk presim vetëm të marrim por edhe të kontribuojmë. Për ne ka qenë një masë parandaluese e luftës, ajo që duam është paqja
Pyetjes nëse kjo kërkesë mund të çojë në një përshkallëzim apo agresion të Rusisë ndaj Suedisë ajo i jep këtë përgjigje:
Hastad: Jo. Kur dëgjojmë ministrin rus Lavrov, e tha shumë qartë se Suedia dhe Finlanda nuk kanë pasur probleme me Rusinë. Por për ne si suedezë është shumë e rëndësishme të tregojmë se jemi solidarë me Ukrainën dhe e mbështesim. Ajo që ka ndodhur tani është diçka e papritur. Lufta ishte një nga arsyet kryesore pse ne na u desh të rimendojmë politikën e mbrojtjes për shtetin tonë.
Ndërkohë Turqia ka paralajmërur veton kundër anëtarësimit të dy shteteve. Hastad thotë se Suedia ka nisur një fushatë diplomatike.
Hastad: Diplomatët tanë do të hyjnë në dialog me Turqinë dhe në nivelet tona më të larta të diplomacisë tonë po kërkojmë biseda me ta dhe po kërkojmë mënyra si ta adresojmë këtë çështje. Duam që Turqia në fund të pranojë aplikimin tonë për anëtarësim. Turqia është ai vend që ka shprehur disa rezerva për aplikimin tonë.
Pak ditë më parë diplomatja pati një taklim me kryeministrin Rama. Ajo tha se nuk i ka kërkuar direkt që të jetë një negociator me Erdogan, nisur nga marrëdhëniet e ngushta mes tyre, por nuk e mohoi që e shpreson një gjë të tillë.
Hastad: Jo nuk e kam bërë këtë kërkesë. Nëse mund të spekuloj disi, të shpreh shpresat e mia, Shqipëria ka një reagim shumë pozitiv ndaj reagimit të Suedisë për tu anëtarësuar. Ndoshta Turqia do të shikojë reagimin e Shqipërisë dhe kjo do të jetë në favorin tonë, derisa ju thoni se ka një marrëdhënie të ngushtë mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Ne shpresojmë që aspekte të ndryshme të kenë ndikim te Turqia për ta shikuar me favor këtë aplikim. Shpresoj që Shqipëria të luajë një rol pozitiv. Por mendoj se me Turqinë na duhet të ulemi me ta dhe të dialogojmë mes Suedisë dhe Turqisë. Këtë po synojnë të arrijnë diplomatët dhe kryeministri ynë.
E megjithatë diplomatja ka marrë garancinë për votën pro të Shqipërisë.
Hastad: Po, kam marrë një mendim pozitiv. Kam folur me kryeministrin Rama dhe kam qenë në kontakt me ministren e Eruopës dhe Punëve të Jashtme dhe kam marrë një përgjigje të menjëhershme pozitive.Për ne në Suedi është shumë e rëndësishme dhe jemi mirënjohës. Mendoj se marrëdhënia jonë do të jetë edhe më e thellë dhe më e mirë. Marrëdhënia jonë është e shkëlqyer, kemi bashkëpunuar si në kryesinë e OSBE dhe tani në Këshillin e Sigurimit. Nëse bëhemi anëtarë sëbashku në NATO do na japë mundësinë të kemi një bashkëpunim dhe më të ngushtë.
Ambasadorja e Suedisë tha se shpreson që ky proces të përmbyllet me një përgjigje pozitive sa më shpejt por deri atëherë Stokholmi ndihet i sigurt edhe jashtë NATO-s.
Hastad: Ne shpresojmë për një proces të përshpejtuar, mund të zgjasë 1 muaj por mund të shkojë deri në 1 vit, të paktën këtë kam lexuar nga analistët tanë. Por ne kemi garanci bilaterale të sigurisë nga vende të forta, të fuqishme që janë aleatë me ne. Boris Johnson javën që kaloi vizitoi Stokholmin. Kemi marrëveshje të forta bilaterale, ne ndihemi të sigurt dhe me këto.
