Punëtori shqiptari goditet nga shtylla telefonike në një pyll në Itali, plagoset rëndë
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Coreglia Antelminelli, në provincën e Lucca (Itali).
Mediat italiane, bëjnë me dije se një punëtor shqiptar, i cili ishte i angazhuar me prerjen e pyjeve, për arsye ende të paqarta është goditur nga një shtyllë telefonike. Ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe ka marrë dëmtime në pjesën e kraharorit dhe barkut.
Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 10:20 në një zonë të pyllëzuar, ku ishte pamundur që të futeshin ekipet e emergjencës.
Ekipet e urgjencës u vonuan pasi ishin të detyruar që të shkonin në këmbë në vendin e ngjarjes.
Shqiptari u çua me vështirësi te helikopteri dhe u transferua në spitalin Carregi të Firenzes.
Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe karabinierët dhe po hetojnë rrethanat e aksidentit.

