Xhafaj: Mazhoranca bëri lëshim ndaj opozitës, do shqyrtojmë me seriozitet kandidaturat e PD

Deputeti i PS, Etjen Xhafaj  teksa ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit është shprehur se PS ditën e sotme ka bërë një lëshim ndaj opozitës pasi i dha mundësi që kjo e fundit të propozonte emrat për kreun e shtetit.

Në një intervistë për Ora News, tha se PS i ka shtrirë dorën opozitës, ndërsa shtoi se kjo e fundit e ka problemin mes vetes.

Etjen Xhafaj : Nuk kemi shkuar ende në raundin e dytë, sepse po vijojnë negociatat. Problematika kryesore ka qenë të diskutimi i emrave në atë që ka qenë në tryezën e negociatave. Pjesa shumë e rëndësishme e politikës është dialogu dhe kompromisi mes palëve. Besoj se sot PS ka bërë një lëshim shumë të rëndësishëm ndaj opozitës duke dhënë mundësi që të propozohen emra nga ata. Kjo besoj se është rruga logjike që duhet të ecim përpara në këtë proces.

Xhafaj theksoi se PS i ka qëndruar dhe vazhdon t’i qëndroj synimit për të arritur që të ketë një president të të gjithë shqiptarëve dhe mbi palët.

Etjen Xhafaj: Ka më shumë se dy muaj që dora e mazhorancës është e shtrirë, opozita ka një proces tjetër të brendshëm që e bën mosbesues, ka një mungesë rakordimi mes vetes dhe kjo ka qenë problematika kryesore.

Dialogu dhe diskutimi mes mazhorancës dhe opozitës janë një ushtrim tërësisht demokratik, ndodh në çdo vend të botës.

Më tej deputeti u shpreh se mazhoranca do të shqyrtojë me seriozitet kandidaturat që do të propozohen nga PD, sakaq përjashtoj mundësinë e pranimit të kandidatëve nga Sali Berisha pasi ky i fundit është “Non Grata”

Etjen Xhafaj : Do shqyrtojmë me seriozitetin maksimal të gjithë kandidaturat që do propozohen nga PD.  Nuk do të pranojmë asnjë kandidaturë që drejtohet nga një “Non Grata”. Ku është një standard që është kërkuar nga opozita e atëhershme që ishte e gjitha e bashkuar, mbi nocionin që  asnjë person i shpallur “Non Grata” nuk duhet të jetë në atë sallë në parlament. Ky standard duhet të  mbahet edhe nga ata jo vetëm nga ne.

PS është një organ kolegjial dhe është krejt normale që brenda grupit parlamentar të kishte një debat për presidentin, i cili mos të ishte i cilësuar vetëm te aftësia fizike e 74 deputetëve për të folur dhe për të shprehur mendime, por të  kurrorëzohej me emra të përveçëm.