Rama u përgjigjet Gjukanoviç e Osmanit: Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të Presidentëve Millo Gjukanoviç  dhe Vjosa Osmani kundër nismës "Ballkani i Hapur".

Në një postim në twitter, Rama shkruan se kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit.

Ai thekson se Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot.

Krah presidentes, Vjosa Osmani, Gjukanoviç rikonfirmoi sot se Mali i Zi nuk do të vrapojë drejt nismës serbe Ballkani i Hapur, të cilën po ashtu e kundërshton edhe Kosova.

Millo Gjukanoviç: "Jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht bashkëpunimin ekonomik rajonal. Megjithatë, kjo çështje parimore nuk do të thotë që të mbyllim sytë dhe të mos dimë si t’i lexojmë gjërat në mënyrën e duhur. Mendoj se kemi një iniciativë të fortë të mirë të Procesit të Berlinit dhe disa të tjera në këtë temë, dhe siç e dini shumë vende të rajonit po marrin pjesë në këtë iniciativë dhe ne mendojmë se kjo nismë është plotësisht plotësuese e rrugës sonë drejt anëtarësimit në BE."

Pas ardhjes së shqiptaro-malazezit Dritan Abazoviç në krye të qeverisë malazeze, u shfaqën dyshime se ai do të kishte një qasje më të butë ndaj nismës ekonomike rajonale të themeluar në Novi Sad të Serbisë. 

Nismën serbe tashmë e ka mbështetur vetëm Maqedonia e Veriut dhe vendi ynë, ndërsa tre shtetet nuk kanë mundur të  bindin Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.

Osmani, ndërsa e vlerësoi presidentin Gjukanoviç për kontributin e tij në pavarësinë e Kosovës, e tashmë që Prishtina është pjekur politikisht edhe për përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, vuri në dukje hipokrizinë e Serbisë, që nga njëra anë e fton Prishtinën të bëhet pjesë e Open Balkan dhe nga ana tjetër bëhet pengesë për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.