Nga minierat tek bujtinat, Memaliaj synon të gjallërojë ekonominë lokale me turizëm
Nga minierat tek bujtinat! Bashkia e Memaliajt po orientohet drejt industrisë së turizmit në përpjekje për të gjallëruar ekonominë lokale. Për herë të parë këtë vit u mbajt edhe një ceremoni për nisjen e sezonit turistik.
I njohur si qyteti i Minatorëve, banorë e zonës së Memaliajt mbanin familjet me punën nën tokë.
Por teksa kjo industri kapi fundin, zona u bë ndër më të varfrat.
Tanimë, qyteti po kthen sytë nga një tjetër industri, ajo e turizmit.
Për herë të parë në fshatin Gllavë është çelur zyrtarisht sezoni turistik.
Vendasit kanë hapur disa bujtina, ndërsa infrastruktura mbetet një problem i madh.
“Shpresojmë që ky sezon të jetë më i mbarë dhe të rrisë nivelin ekonomik të qytetit.”
Shteti dhe bashkia nuk kanë investuar në rrugë duke e lenë zonën në harresë pavarësisht potencialit turistik.
“Ne kemi marrë premtime nga ministria e linjës për shtrimin e rrugës këtë vit.”
Zona njihet për bukuritë e saj të paeksploruara, ndërsa banorët presin jo vetëm turistë vendas por edhe të huaj.



