Safet Bajri, kërkon në gjyq lirimin me kusht, pretendon se ka kryer 2/3 e dënimit të Belgjikës

Safet Bajri, një prej emrave të njohur të botës së Krimit në Shkodër, ka paraqitur në gjykatë kërkesën për lirimin nga burgu.

Kjo është kërkesa e dytë për lirim me kusht, pasi herën e parë gjykata e Fierit vendosi të mos pranojë kërkesën e tij.

Bajri rezulton i dënuar me 9 vite burgim nga Drejtësia Belge, për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Organizatës kriminale”, “Vjedhje në rrethana rënduese”.

Por kjo masë dënimi është duke u vuajtur nga Ilir alias Safet Bajri në burgjet Shqiptare, pasi gjykata e Shkodrës vendosi të njohë dënimin e drejtësisë Belge.

Tashmë Bajri pretendon se ka kryer 2/3 e dënimit ndaj i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për lirim me kusht.

Bajri pretendon se i kanë mbetur për të shlyer edhe 10 muaj dënim, pasi nga 9 vite, 3 vite burgim i ka kryer në Bruksel dhe vitet e tjera i ka shlyer deri më tani, në qelitë e burgut 302 në Tiranë, në burgun e Fierit dhe në burgun e Shkodrës.

I konsideruari si i forti i Shkodrës, u ndalua nga RENEA në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oaz”, të zhvilluar nga prokuroria e Shkodrës.