Livadhet e Gjarprit të Dragobisë, bukuria e virgjër e bjeshkëve atraksion për të huajit

Ballkoni i bjeshkëve, në një mijë e 200 metra mbi nivelin e detit, është zbulimi i fundit i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Edhe pse pa infrastrukturën e duhur shkencore, bukuria e natyrës dhe mikpritja e malësorëve ka bërë që çdo vit të ketë shumë e më shumë vizitorë

Janë livadhet e Gjarprit të Dragobisë. Vendasit e quajnë edhe ballkoni i bjeshkëve.

Në një lartësi 1 mijë e 200 metra mbi nivelin e detit nga aty mund të shihet pamja mahnitëse e Luginës së Valbonës.

E gjithë kjo bukuri natyrore e mbetur ashtu siç është krijuar ndodhet vetëm pak kilometra larg Bajram Currit.

Përqafuar nga malet e larta, me burime nga ku rrjedh ujë i ftohtë, ajri i freskët e mikpritja e ngrohtë e vendasve e bëjnë këtë zonë fort të dashur për këdo që shkel aty.

Livadhet e Gjarprit vitet e fundit janë zbuluar edhe nga të huajt.

Aty bujtin turistë nga Gjermania, Zvicra, Anglia madje edhe nga India.

Në këtë zonë mes malesh tradita e mikpritjes ka mbetur e fortë.

Vendasit kujdesen që të ofrojnë për miqtë më të mirën e bjeshkëve.

Pronarët që kanë kthyer shtëpitë në bujtina përveç turizmit merren edhe me blegtori.

Thonë se aty ndihen mirë, larg zhurmave e modernitetit të zonave urbane, natyra u ka falur gjithçka.

Vitet e fundit energjia nuk ndërpritet dhe komunikimi telefonik mundësohet pa probleme, por banorët i shqetëson rruga.

Ajo është e dëmtuar dhe vështirëson udhëtimin e vizitorëve.

Vit pas viti mijëra turistë të huaj vizitojnë Shqipërinë për të zbuluar zonat e egra dhe bukuritë që fshihen pas tyre.