Raundi i parë për presidentin bëhet “kurban”, palët shkojnë më 16 maj pa asnjë emër

Për t’i dhënë më shumë kohë njëri-tjetri për të negociuar për një emër kondensual, politika ka vendosur të djegë raundin e parë, pa çuar një emër në seancën e së hënës. Alibeaj kërkon President nga opozita, Mediu kërkon bashkimin e opozitës, ndërsa PDIU del nga rreshti, Kreu i Shtetit duhet të jetë politik.

Të hënën Parlamenti nuk do të arrijë të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës, pasi politika ka vendosur që të bëjë “kurban” raundin e parë.

Negociatat mes treshes socialiste dhe përfaqësueses të dy grupeve parlamentare të opozitës, Fatmir Mediun dhe Mesila Dodën kanë dakordësuar që opozita të ketë me shumë kohë deri sa të gjejë dakordësinë mes veti.

Mediu: Qëndrimi ynë ka qenë që opozita të dalë me figurat e veta. Shpresoj që të arrijmë në këtë konsensus opozitar. Ne kemi vendosur si ‘Aleanca për ndryshim’ që propozime t’i bëjmë brenda opozitës. Nëse nuk do të ketë një qëndrim opozitar nuk marrim pjesë në proces.

2 grupet parlamentare nuk kanë deputetët e nevojshëm për të propozuar kandidatë, por edhe PS që e ka këtë mundësi nuk pritet që të dorëzojë në Kuvend deri me 15 maji kandidatin apo kandidatët e saj.

Balla: Bashkë me kolegët kemi zhvilluar sot një raund të dytë me dy nga 3 grupet parlamentare të e opozitës. PS e ka dëshmuar edhe sot dispunueshmërinë për diskutimin e kandidatëve për president. Me të dyja grupet, edhe nga ana e tyre ka pasur një gatishmëria për tu hedhur në procesin e emrave. Vazhdoj të shpresoj që grupi i PD-së të ketë një vendimmarrje për të ardhur në tryezë.

Mediu ka marrë rolin e negociatorit për të gjetur gjuhën e përbashkët mes vetë opozitës, pasi sipas tij PD duhet të përfshihet në këtë proces por me një kusht, që kjo forcë politike të përfaqësohet e unifikuar.

Deputetët e PDIU-së, të cilët kanë dalë nga lista e PD, janë më shpresëplotë ndaj procesit të negociatave me socialistët, por edhe pse të pakët në numër kanë një kusht për tryezën.

Idrizi: Shqiptarët kanë nevojë për një president konsensual, sepse po të zgjidhet në këtë mënyrë të tillë, do të kemi në president që e zgjidh krizën parlamentar. Theksuam që do të jetë një njeri me eksperiencë të theksuar politike dhe një figurë me dinjitet. Dhe si një figurë e unitetit kombëtar. Ne gjetëm një vullnet të mirë, edhe pse do të verifikohet, që nuk do të kemi një president të zgjedhur në mënyrë të njëanshme.

Edhe pse mendon që PD duhet të ulet në tryezë me socialistët, Enkelejd Alibeaj ende mbetet mes pa dakordësisë në PD dhe detyrimit kushtetues. Për këtë kërkon një tjetër garanci nga PS, që t’i lë atij propozimin për President.

Alibeaj: Ne kemi rënë dakord që të marrim pjesë në një proces real, ashtu sikurse e do presidenti i shqiptarëve, mbi palët dhe neutral. Ne jemi ofruar për të pasur një proces dhe ky të jetë i bazuar ne kritere dhe procedurë, si një garanci të domosdoshme për një president që simbolizon unitetin e popullit. Mazhoranca nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur president e vetme, sepse mazhoranca ka deputetë të gjeneruar nga personazhe non grata dhe ka deputetë të tillë.

Dhe siç pritej, para se të përgjigjej PS, kundër Alibeaj reagoi deputeti demokrat Ervin Saljanji me argumentin që nuk ka një vendim grupi për kërkesat që i janë dorëzuar mazhorancës.