Nga Kosova për llixha në Elbasan, kërkojnë shërim

Llixhat e Elbasanit janë ndër më të njohurat në vend ku , çdo vit mijëra e mijëra persona kërkojnë shërim për probleme të ndryshme shëndetësore. Por zona e Treganit vuan mungesën e infrastrukturës.

Sezoni i llixhave në Elbasan është hapur prej një muaj, ndërsa dhjetëra të moshuar nga vendi dhe rajoni janë drejtuar për atje.

Ujërat termalë të fshatit Tregan, janë të lakmueshme prej vitesh nga personat që vuajnë nga problemet shëndetësore.

Shqiptarët e Kosovës janë më besnikët, ndërsa ka nga ata që vijnë dy herë brenda vitit.

"Ne vijmë dy herë në vit në pranverë dhe vjeshtë", thotë një vizitor.

Një tjetër shprehet se është viti i shtatë që vjen aty.

Por, një ndër problemet më të mëdha që ka fshati është infrastruktura.

Rruga për të shkuar deri tek llixhat është e pashtruar dhe e mundimshme për të moshuarit.

"Infrastruktura këtu nuk është e mirë. Në krahasim me paratë që marrin këta, kjo është shumë e dobët", thotë ai.

Pavarësisht se problemet infrastrukturore janë ngritur disa herë si shqetësim, Bashkia e Elbasanit e drejtuar nga Gledian Llatja nuk ka bërë asgjë për vendin i cili tërheq qindra vizitorë në vit.