"Në je burrë e ta mban hajde të ndryshojmë Kodin Penal! Ja për çfarë e sfidon Berisha Ramën?
Ish kryeministri Sali Berisha sfidon Ramën dhe e nxit të ndërmarrë ndryshime në Kodin Penal ku të hiqet parashkrimi i shkeljeve për kryeministrat.
"Korrupsioni bëhet sistem kur kryeministri vjedh. Hajde të sanksionojmë në Kod Penal ku kryeministri nuk ka parashkrim" tha Berisha në konferencën për median sot nga selia e PD-së.
Madje e sfidon duke deklaruar se vota e tij dhe e deputetëve mbështetës është gati për këtë ndryshim.
Sali Berisha: “Në je burrë e ta mban hajde të kalojmë ligjin në parlament të përjashtojmë kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi. Të ndryshojmë Kodin Penal. Nuk e bën dot se ke frikë. Thotë nuk di ç’kam firmosur për të mbushur valixhet”
Më tej ish kryeministri Sali Berisha akuzon Ramën se po u bën presion stalinist SPAK për të hetuar kundërshtarët politikë.
Sali Berisha: “Ka 3 javë, një muaj që sulmon SPAK vetëm se e sheh që opozita e vërtetë do të firmosë fundin e tij. Ka shpifur në Departamentin e Shtetit dhe ka lobuar në mënyrën më korruptive për shpalljen time non grata ndërkohë që puthet pllaç e plluç me Dodikun në Bosnje. U kërkon gjykatësve e prokurorëve të faktojë shpifjet që ka bërë ndaj meje me raportet e tij falso. Më thoni cili vend që kërkon të hapë negociatat ka zbritur në pikiatë 30 vende për lirinë e mediave?”
Berisha thotë se Rama synon ti japë vendit një drejtim tjetër nga BE por e paralajmëron të mos e bëjë.
Sali Berisha: “Mendon se do të mund ti japë vendit drejtim tjetër. Harroje I them! Mos tento të spostosh se në mënyrë absolute do të përballesh me revolt të fuqishme popullore. Drejtimi ynë është integrimi në BE. Nuk ka faj asnjë nga vendet e Europës nëse ti sillesh si gangster me gazetarët, apo mban fjalime si Kim Jong Un me drejtësinë. Ke një muaj që merresh me presione staliniste për të hetuar kundërshtarët e tu. Nuk mund të lozë me fatet e vendit. Ai është vasal i Aleksandër Vuçiç”