Alibeaj: Fokusi kriteret dhe jo emri i presidentit, duhet që procesi të mos jetë buzëkuq
Enkelejd Alibeaj nga hyrja e kryesisë së Kuvendit u shpreh se kriteri kryesor i PD-së për presidentin është që ai duhet të jetë anti-komunist.
Ai tha se ky proces i zgjedhjes së tij nuk duhet të jetë buzëkuq dhe se përfaqësuesit e mazhorancës duhet të mbajnë qëndrimet e tyre për draftin e Alibeajt.
Alibeaj: Ju i dini kriteret, njëri është që presidenti duhet të jetë antikomunist. Është vendosur një kriter për mos aktivizimin politik në 5 vitet e fundit, por nuk është i shkruar në gur. Ne këtë qëndrim tonin ia ofrojmë grupeve të tjera parlamentare sidomos atyre të opozitës. Me konsultimet që kam pasur me Dodën dhe Mediun kanë qëndruar tek kriteret. Ne kemi qëndrimin që opozita duhet të propozojë sipas një mekanizmi të bërë publik.
Duhet të jetë një proces që të mos jetë buzëkuq. Nuk do ia bëjmë këtë shqiptarëve. Pres publikisht nga përfaqësuesit e mazhorancës të kenë qëndrimin e tyre. Presim reagimin e tyre dhe do të kemi sërish një reagim tonin. Ne nuk jemi për të pasur proces në dhoma të errëta, të cilat nuk kanë rezultuar të mira për shqiptarët. Gjithçka në sy të publikut. Nuk do të ishte e udhës të vrapojmë pas emrave nëse nuk kemi kritere.

