Përplasje mes ortodoksëve në rajon, pas njohjes së Kryepeshkopatës së Ohrit

Një vendim i Patriarkanës Ekumenike për të njohur si kanonike Kryepeshkopatën e Ohrit ka ngjallur debate në vendet fqinje, e më së shumti në Bullgari, të cilët e quanin Kishën e Ohrit si një nga institucionet më të vjetra ortodokse bullgare. Kontestime janë shënuar edhe në Greqi e Serbi.

Patriarkana Ekumenike ka njohur si kanonike Kryepeshkopatën e Ohrit, e cila i jep Maqedonisë së Veriut autoqefalinë.

Ndërsa në Shkup e kanë quajtur historik vendimin e patriarkut Bartolomeu i cili heq përçarjen dhjetëra vjeçare, fqinjët nga Bullgaria, Greqia e Serbia janë tërbuar nga vendimi.

Në Sofje, në titujt kryesorë gazetat kanë shkruar ‘Skandal, Shkupi i vodhi Bullgarisë edhe Kryepeshkopatën bullgare të Ohrit.’

E po ashtu historianët bullgarë thonë se vendimi i Patriarkanës Ekumenike është tradhti ndaj interesave kombëtare të Bullgarisë, të cilat dëmtojnë çështjen bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Mediet helene kanë shkruar se njohja e Kryepeshkopatës së Ohrit nga Patriarkana Ekumenike nuk nënkupton dhënien e autoqefalisë ndaj saj.

Ndërkohë në Beograd shkruajnë në mënyrë tendencioze me termin ‘e ashtuquajtura Kishë Ortodokse Maqedonase’ nuk njihet nga Patriarkana Ekumenike, por nga Patriarkana e Kostandinopojës.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Kisha Ortodokse Ruse e cila potencoi se njeh vetëm të drejtat kanunore të Kishës Ortodokse Serbe në Maqedoninë e Veriut.

Shkupi e ka konsideruar vendimin e Patriarkut Vartholomeo si një mjet të rëndësishëm të identitetit të popullit maqedonas, që konfirmon identitetin shekullor, i cili është i ndryshëm nga kombet e tjera ballkanike.

Kryepeshkopata e Ohrit u shkëput nga Patriarkana Serbe në vitin 1967, duke vetëshpallur Kishën Ortodokse Maqedonase e cila nuk u njoh nga asnjë kishë tjetër ortodokse zyrtare në botë