Thaçi deklarohet i pafajshëm për akuzat e reja të Speciales

Ish-presidenti Thaçi është deklaruar i pafajshëm për aktakuzën e ndryshuar të Prokurorisë Speciale të publikuar në 29 prill. Thaçi dhe avokati i tij të dy deklaruan se në aktakuzë ka pasur redaktime të shumta.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për pikat e reja të aktakuzës me të cilat e ka ngarkuar Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Thaçi i tha gjykatës se nuk i kishte lexuar arsyetimet shtesë të Prokurorisë Speciale, por megjithatë u vetë deklarua i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Prokuroria Speciale pretendon se ish-presidenti Thaçi, ish-kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë dhe Semishtë në vitet e errëta të luftës së Kosovës 98-99.

Për avokatin e zotit Thaçi, Gregory Kehoe nuk ka qenë e nevojshme të lexohen elementet e reja të aktakuzës.

Ish-presidenti dhe avokati i tij deklaruan së bashku se ka pasur redaktime të shumta si në aktakuzën paraprake, ashtu edhe në atë të ndryshuarën.