Komuna e Tetovës kallëzon penalisht Teuta Arifin për 1 milion euro dëm me shpronësimet
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, njoftoi sot se komuna ka ngritur kallëzim penal kundër ish-kryetares Teuta Arifi për një rast shpronësimi.
Në një konferencë për mediat, ai akuzoi paraardhësen e tij se për këtë rast buxheti i komunës është dëmtuar për mbi një milion euro, ndërsa vlera e lëndës për pronën e shpronësuar ka qenë 40 mijë euro.
“Vlera e shpronësimit ishte tre milionë denarë, tani kamata për këtë shumë është 65 milionë denarë. Ndryshe, ky rast daton në vitet tetëdhjetë, dhe është riaktivizuar në vitin 2015, për të cilin të gjitha vendimet e gjykatave janë pozitive. Dyshojmë se menaxhmenti paraprak qëllimisht nuk e ka ankimuar vendimin, për të cilin sot Komuna e Tetovës paguan interes dhe në këtë mënyrë jo vetëm dëmton buxhetin e komunës, por edhe qytetarët. Ne si komunë kemi ngritur kallëzim penal kundër ish-kryetares dhe zyrtarit të saj të afërt, kundër një gjyqtari dhe një avokati, nën dyshimin se kanë keqpërdorur kompetencat dhe pozitat e tyre zyrtare, me çka është dëmtuar buxheti i Komunës së Tetovës në shumë prej 68 milionë denarë. Për këtë rast nga marrja e mandatit kemi paguar mbi 29 milionë denarë ose afërsisht gjysmë milioni euro vetëm për kamatë".
Ai pretendon se ish-udhëheqja nuk ka reaguar në kohë.
“Ata nuk kanë parashtruar asnjë ankesë apo marrëveshje me partinë për të mos dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës, me të vetmin qëllim që të shfrytëzojnë ndonjë pazar të mundshëm që mund të bëhet me partinë. Ne nuk duam të paraqitemi si viktimë dhe as të spekulojmë për lëshimet dhe shkeljet e shumta ligjore të bëra në kohën e pushteteve të mëparshme vendore, por vetëm duam të nxjerrim faktet dhe argumentet. Po përpiqemi t'u shpjegojmë qytetarëve se ku kanë përfunduar paratë e tyre dhe pse komuna është në borxhe të mëdha. Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse është bllokuar llogaria e Komunës së Tetovës dhe kjo pengon funksionimin normal të pushtetit lokal”, tha Kasami.
Ai tha se kishte pasur disa takime me qiradhënësin që përfunduan në dështimin e negocimit të një pagese të mundshme shpronësimi pa kërkuar interes.

