Dialogu, Instituti Demokratik i Kosovës: Lajçak nuk ka bërë progres në këto dy vjet
Në Kosovë është komentuar roli i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Pas dy vitesh në këtë detyrë dhe tre muaj përpara përfundimit të mandatit nga Prishtina vlerësohet roli i emisarit, megjithëse pa bërë progres në proces.
Tre muaj përpara përfundimit të mandatit si përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës e Beogradit është vënë në mëdyshje roli i Mirosllav Lajçak si edhe vazhdimi i punës së tij.
Lajçak ka marrë mandatin më 4 prill të vitit 2020, fillimisht me afat 1-vjeçar, ndërsa vitin e kaluar iu zgjat mandati deri më 31 gusht të vitit 2022.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili është edhe degë e Transparency International thonë se emisari Lajçak nuk ka bërë progres në këto 2 vite të punës së tij si i dërguar i BE-së për dialogun, megjithëse për rrethana që nuk varen prej tij.
Ndërsa për analistin politik Gazmir Reçi, zoti Lajçak duke qenë se është një diplomat sllovak dhe me influencë, mund t’i sillte Kosovës njohjen e pavarësisë së saj nga Sllovakia.
Në këto kushte sipas Reçit, mandati i Lajçak duhet të zgjatet.
Kur nisi mandatin përpara dy vjetësh, Mirosllav Lajçak tha se kishte besim të plotë se marrëveshja përfundimtare midis Beogradit dhe Prishtinës do të arrihej brenda muajve e jo viteve.
Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar në vitin 2011, ndërsa, marrëveshja formale u nënshkrua me 19 prill 2013.
