Ukraina kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Ukraina i ka bërë thirrje Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të thërrasë një takim urgjent, duke përmendur nevojën për të rishqyrtuar situatën e përkeqësuar në vend, përfshirë raportet për viktima masive në Mariupol, sipas një letre të marrë nga Reuters.

"Situata aktuale kërkon vëmendjen urgjente të Këshillit duke pasur parasysh raportet e krimeve të luftës dhe shkeljeve në shkallë të gjerë në qytetin e Bucha dhe pjesë të tjera të vendit që u çliruan pas tërheqjes së forcave ruse dhe raporteve të vazhdueshme për viktima masive në qytetin e Mariupolit”, thuhet në letrën që Ambasadorja e Ukrainës në Kombet e Bashkuara, Yevheniia Filipenko, i shkroi Presidentit të Këshillit.

Letra që mban datën e sotme, 9 maj, është nënshkruar nga 55 vende të tjera.

Rusia mohon të ketë shënjestruar civilët dhe i quan veprimet e saj në Ukrainë një "operacion special" për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta mbrojtur atë nga fashistët.

Ukraina dhe Perëndimi kanë argumentuar se pretendimi është i pabazë dhe se lufta e paprovokuar është një ofensivë nga Moska.