UKT çan rrugët, por harron t’i rregullojë, banorët: Duhet të marrim dy palë atlete me vete
Punimet e ujësjellës-kanalizimeve të lëna përgjysmë me muaj kanë shqetësuar banorët e zonave të ndryshme të Tiranës. Banorët kërkojnë që qeveria të ushtrojë kontroll mbi kompanitë që marrin përsipër punimet.
Ashtu si në rrugët e kryeqytetit edhe në periferi punimet e ujësjellës-kanalizimeve të lëna gjithmonë përgjysmë e kanë lënë rrugën në këtë gjendje. Pluhuri i shkaktuar nga këto punime është lehtësisht i dukshëm.
Kjo rrugë prej më shumë se dy kilometrash përkrah liqenit të Farkës është kthyer në problematikë për banorët e zonës.
“Marr dy palë atlete me vete se gjatë rrugës behëm zhul. Mungojnë edhe kanale kulluese.”
Kjo situatë është më e vështirë për fëmijët, kryesisht përgjatë shirave kur edhe reshjet nxjerrin në pah punimet e këqija të rrugës.
“Fëmijët gjithë baltë, ujë shkojnë në shkollë e ujë kthehen.”
Gjendja e rrugës vë në vështirësi edhe bizneset e vogla familjare.
“Detyrohem t’i ul nga 1 mije lek çdo klienti se mezi më hyn njëri në dyqan, rrobat plot pluhura nuk kanë faj.”
Prandaj, ata kërkojnë që kompanitë që marrin përsipër punimet e rrugëve të jenë të përgjegjshme e shteti të ndërhyjë për kontrollin e tyre.
“Deri në fund të kontrollohen se është i njëjti muhabet, qeveria duhet t’i kërkojë llogari derisa rruga të bëhet edhe më mirë se çka qenë.“
Kjo situatë e cila përsëritet në mënyrë të vazhdueshme në rrugët e vendit, nuk i ka shqetësuar instancat përkatëse, të cilat nuk kanë marrë asnjë masë për to.

