“Rreze t’paqta shkon tuj shkri”, piktori lezhjan Pashk Përvathi për herë të parë me ekspozitë në Shkodër
Në ambientet e Galerisës së Arteve në Shkodër është çelur ekspozita e piktorit lezhjan Pashk Përvathi. Janë 50 punime, të cilat i janë prezantuar publikut shkodran në këtë ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij muaji.
“Rreze t’paqta shkon tuj shkri”! Ky varg i poetit dom Ndre Mjeda u përzgjodh për të prezantuar ekspozitën e piktorit Pashk Përvathi në qytetin e Shkodres.
50 punime të tij në gjininë e peisazhit, portretit, natyrës së qetë, ju prezantuan publikut këtë fundjavë dhe do të qëndrojnë të ekspozuara në galerinë e arteve përgjatë gjithë muajit.
Megjithëse ka hapur 39 ekspozita brenda e jashtë vendit, artisti lezhjan vjen për të herë të parë në Shkodër.
"E doja një ekspozitë në Shkodër. Nuk kisha ftesë më parë por ftesën në Shkodër e prita me emocion dhe desha të sjell një koleksion të punëve të mia që të isha i përfaqësuar sa më mirë në respekt të Shkodrës. E kam marrë si përgjegjësi artistike dhe solla një grup portretesh ndryshe nga ekspozitat e tjera."
Arti në përgjithësi ka njohur kriza, e as ai pamor nuk bën përjashtim. Por Përvathi tregon zgjedhjen që ai ka bërë në raport me kohët që jetojmë.
"Askush nuk kujdeset që arti në Shqipëri të zhvillohet, nuk ka kritikë arti dhe institucione që e mbështesin artin. Jemi secili në rrugëtimin personal, kështu kam zgjedhur unë, rrugëtoj vetë."
Debati më i madh sot në Shqipëri po bëhet për veprat e realizuara në periudhën komuniste. Në këtë pikë edhe ai ka një qëndrim.
"Unë nuk them se sot duhet ti japësh Enver Hoxhën publikut por Luftën Nacional Çlirimtare që është e bukur, zjarri partizan i Sali Shijakut mendoj se nuk ka asnjë të keqe që t'ja japësh."
Veprat e piktorit Pashk Përvathi janë pjesë e fondit të koleksionistëve në Europë, Amerikë dhe Azi.
Ai ka dhe tri vepra të ekspozuara në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

