Viti i Mitrush Kutelit në Pogradec, shkrimtari përkujtohet në 55-vjetorin e vdekjes
Me 4 maj 1967 u nda nga jeta Dhimitër Pasko, shkrimtari që do ti mbetet kohës përmes veprave të tij me emrin Mitrush Kuteli.
Në 55-vjetorin e vdekjes u përkujtua nga familjarë dhe intelektualë në qytetin e Pogradecit.
I biri Pandeli Pasko thotë se vepra e të atit mbetet aktuale dhe për ditët e sotme.
"Nëpër tekste të ndryshme letërsie është folur, Kuteli është i kohës së shkuar, i kohës së mbretërisë, nuk ka qenë kurrë i mbretërisë. Ka qenë gjithmonë në opozitë Kuteli, të gjithë llojeve të diktaturave."
Në Pogradec ky vit do ti dedikohet Kutelit. Në nder të shkrimtarit institucionet arsimore dhe bashkia do të organizojnë një sërë aktivitetesh.
"E shpallëm si vit të Mitrushit për arsyen e vetme që jo vetëm qyteti ynë por gjithë kombi të jetë pjesë i këtyre aktiviteteve. Në Pogradec të gjitha shkollat kanë marrë përsipër të organizojnë aktivitete kulturore artistike në nder të kësaj figure."
Mitrush Kuteli është ndër prozatorët më të mirë shqiptarë. Ka lënë një trashëgimi të pasur letrare dhe përveçse shkrimtar njihet si përkthyes dhe ekspert ekonomie.

