Refuzoi ushqimin e ushtarëve ukrainas se përdhosën flamurin e kuq, rusët e bëjnë gjyshen statujë në Mariupol

Mariupoli është një qytet ukrainas i rrënuar pothuajse tërësisht në duart e rusëve, por për Moskën është gjithashtu një simbol dhe si i tillë ka nevojë për rituale dhe ikona.

Kjo tregohet me statujën e sapongritur të 'babushkës' ukrainase me flamurin e kuq, gjyshes rusishtfolëse dhe rusofile të Donbassit, e cila refuzoi ushqimin nga ushtarët ukrainas duke tundur flamurin me çekiç dhe drapër.

Nexta TV, media opozitare bjelloruse, postoi në Tëitter foton e statujës, e gjitha në të zezë, në stilin sovjetik, me një shami në kokë dhe një flamur të Bashkimit Sovjetik në dorë.

Historia u bë virale në mediat sociale pro-ruse muajin e kaluar me imazhin e gjyshes ukrainase që u shndërrua shpejt në një ikonë të tillë saqë shfaqet në murale, piktura dhe madje edhe në uniformën e ushtarëve të Moskës.

Historia filloi të qarkullojë në Telegram në fillim të prillit dhe tregon për gruan e moshuar që mirëpret me një flamur të kuq ushtarët ukrainas që shkojnë për ti dërguar ushqim.

Ushtarët i japin ushqimin, i marrin flamurin dhe e shkelin.

Kur e moshuara e kupton që janë ushtarë ukrainas, ua kthen çantën me ushqime dhe bërtet:

"Nuk e dua, ajo që ju po shkelni është flamuri për të cilin kanë vdekur prindërit e mi".

Dhe që nga ai moment mjaftoi një mesazh social për ta shndërruar lajmin në një simbolikë nderi, guximi dhe patriotizmi për rusët.