Balerina që pikturon mbi rroba, arti që punohet në orët e vona të natës

Të pikturosh mbi rroba është një art i cili praktikohet nga shumë artistë. Ajo që e bën të veçantë këtë gjë është pikërisht të kthyerit të asaj që në veshim në  një gjë unike dhe aspak të zakontë. Një pikturë mbi rroba mund të bëhet kudo mbi një xhaketë, bluzë, pantallona, fustane etj.

Sigurisht edhe ky lloj arti ka një teknikë të veçantë të cilin e njohin ata që e praktikojnë , pasi fillimisht zgjidhen rroba e më pas ato kalojnë në një proces derisa pikturohen. Jonida Duro me profesion balerinë e ndërkohë  shumë e talentuar në pikturë, fillimisht e ndau pasionin e saj mbi rrobat që vishte , por duket se vëmendja e shumë njerëzve bëri që e reja ta shndërronte edhe në profesion të dytë.

E ftuar në emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora, Jonida rrëfeu rrugën drejt këtij arti dhe dëshirën e madhe me të cilën punon në rroba.

“E kam provuar së pari në një xhaketë xhins. Punën ma vlerësuan piktorë profesionistë, më thanë që kisha dorë. Kam ndjekur hapat e vajzave në “Youtube”, në Rusi, Spanjë.

Si fillim lyhet me bojë të bardhë, bëhet skica me laps dhe pastaj mbushet. Bojërat janë tekstile, për rrobat. Jam e fokusuar te xhaketat xhins. Pikturohet në çdo veshje, xhaketa, xhinse, çanta madje dhe te atletet. Materiali që preferoj më shumë është xhinsi. Punoj gjatë orëve të vona, dhe për të më është dashur 3-4 ditë, nga 3-4 orë në ditë.

Punimi më i dashur për mua është i pari. Kam komunikuar me një vajzë ruse për bojërat që përdorte, ajo mi tregoi dhe më komplimentoi. Rrobat e punuara duhet të lahen me dorë dhe jo me lavatriçe.

Jam balerinë që 8 vjeçe. Kam përfunduar në Akademinë e Arteve për koreografi. Jam mësuese në shkollën e Baletit”, tha ajo.